INTERVISTË ME ANASTAS NIKËN, REGJISORIN QË KARRIERËN IA KUSHTON RRITJES SË TALENTËVE TË RINJ


Mamasandpapas.ae

Kur të duhet të bësh intervista të kësaj natyre është e pa mundur të mos mendosh për fatin e madh që ke, dhe me këtë nuk po nënkuptoj asgjë.

Për intervistimin e personazheve të tillë si regjiszori i njohur Anastas Nika të duhet patjetër dëshira për të qenë gazetar, e për t’i treguar lexuesit të njëjtin përjetim që ke kur dëgjon profesor Anastasin t’i përgjigjej pyetjeve.

Anastas Nika është me plot kuptimin e fjalës një rritës talentesh të reja. Me një çerek shekulli eksperiencë në kinematografi dhe 130 role aktoriale, ai është pa dyshim një figurë tejet e rëndësishme e këtij arti në vendin tonë.

Në intervistën e mëposhtme profesor Anastas Nika ka folur për profesionin në të cilin i rri shpirti, ashtu si i ka hije një artisti të madh, pa dorashka, me ndjenjën dhe përjetimin që ka për të bukurën e artit të tij.

Si e cilësoni ju të marrurit me art në ditët e sotme?

Që të flas se si e cilësoj të marrurit sot me art, duhet të hedh sytë në të djeshmen ku unë kam sakrifikuar dekada të tëra me mundime duke derdhur djersë e jo pak herë na ka dalë gjak nga goja,nga puna e stërmundimshme e ushqimi i keq (kujtoj ku duke punuar gjer në orët e mëngjesit në Akademi,shpesh ngeleshim fare pa bukë..) e gjithë këto për tu bërë një artist me të gjitha parametrat që kërkon profesioni e koha. E sigurisht ky pasion nuk mund të shuhet përballë rrethanave kohore të vështira që po kalon vendi ynë, e për më tepër arti dhe artistët e çdo fushe. Dashuria më e madhe për një artist të vërtetë është dhe mbetet arti i tij. Asgjë dhe askush nuk mund ta lëvizë atë nga istikami i tij. Ai vazhdon të digjet si një qiri, jo të ndriçojë veten por të tjerët. Flas gjithmonë për ata që janë vërtetë artistë.

Nësë do të hyjmë brenda kohës, a është e përshtatshme për tu marrë më art, asnjëherë kohët nuk kanë qenë në favor të tij nga pikpamja ekonomike, madje dhe punët shpesh herë janë vlerësuar pas vdekjes së tyre.

E nëse do ti përgjigjesha thjesht pyetjes, se si e cilësoj të marrurit me art nga këndvështrimi i përgjithshëm, do ta quaja një marrëzi të shkallës më të lartë. E nëse do ta shikoja nga këndvështrimi im personal, do ta shikoja një mision për të cilin unë kam ardhur e jam në këtë botë.

A mendoni se arti i kinematografisë dhe i aktrimit në përgjithësi po kalon një krizë?

Sigurisht që në ndryshim sistemesh do të ketë dhe vështirësi të mëdha jo vetëm ekonomike por të çdo lloji, sociale e shpirtërore. E pikërisht një ndryshim i tillë do të sillte dhe tek ne kriza…Dhe një nga këto kriza ka mbërthyer dhe artin e kinematografisë dhe të teatrit.

Nëse do ta shkonim kinematografinë nga pikëpamja e numrit të filmave në raport me kohën e socializmit, do të shikojmë që sot mezi realizohet një film kur dje realizoheshin 14 filma, por liria ishte tejet e kufizuar. Nëse do ta shikonim nga pikpamja e lirisë sot i ke të gjitha mundësitë që të bësh një film të mirë, por është ana ekonomike që nuk të lejon. Gjëja tjetër është edhe një  krizë trajtimin e temave dhe pastaj sigurisht edhe realizimin e dobët të tyre. Shohim mungesë mesazhesh të fuqishëm për kohën që jetojmë, por vetëm gjëra banale e vulgare që  më shumë dëmtojnë shijet e spektatorit. Kjo vjen se regjisorët nuk mundohen të sjellin imazhe origjinale të cilat ata i kanë përjetuar, nuk mundohen të zbulojnë e shpalosin shpirtin e shkollën e tyre, por  vetëm  imitojnë  a kopjojnë nga filmat e huaj. Mendoj se ajo që pengon  më shumë se gjithçka  për të realizuar një film të mirë është mungesa e skenareve të mirë, sepse dihet që një skenar i mirë është guri i themelit për  ngrehinën e një filmi të mirë.

E njejta gjë ndodh dhe me teatrin. Teatri kalon një krizë dhe ai, e kjo vjen sepse  të gjitha veprat pothuajse janë të huaja, dhe vihen përciptas, duke mos i përshtatur mirë, duke evidentuar anën e jashtme të gjërave e mbi të gjitha  në një kohë tejet të shkurtër ku gjithçka është e qulltë e papjekur. Edhe këtu në shumë shfaqje teatrale sundon banaliteti dhe vulgariteti, dhe është zhdukur misioni kryesor i teatrit që është “katarsisi’’, njerëzit shpesh herë hyjnë të pastër dhe dalin të pistë…E kjo vjen nga temat, trajtimet e interpretimet e dobëta, banale e vulgare…Teatri ka një mision të fuqishëm i cili është katarsisi. Misioni i teatrit përqaset misionit të tempujve të besimit. Por unë mendoj se misioni i teatrit mund të them se është edhe më i fuqishëm se ai i tempujve fetarë, sepse nëse në një kishë hyjnë të krishterët, në një xhami hyjnë myslimanët, në manastir budistët, kurse në TEATËR  hyjnë të gjithë madje dhe ateistët dhe njerëzit me kulturë të dobët. E pra shikoni se sa fuqi të madhe kërkon teatri për të kryer misionin e pastrimit shpirtëror. E kjo e bërë me art. Ndaj koha që jetojmë në përgjithësi lë shumë për të dëshiruar, artistët duhet të bëjnë revolucion tek vetja dhe në teatër për të sjellë shkollën e tyre, duke u ngarkuar më bukur, me mesazhe të fuqishme dhe koncepte e trajtime origjinale mbështetur në traditat, historinë, kulturën e folklorin e kombit tonë, gjë që duhet thënë, e pohuar se këtë  e ndeshim në disa shfaqje së fundmi në teatrot tanë.

Ndoshta do të ishte e udhës dhe e kohës që Universiteti i Arteve apo dhe ndonjë universitet tjetër të mund të hapte një degë për dramaturgë. E përveç kësaj, hasim edhe në një element shumë të rëndësishëm siç është ai i kritikës profesionale. Kritika përgjithësisht është e dobët, ose  vetëm e fjalëve të mira, dhe jo e analizës së thellë profesionale.

 Po shohim që cdo ditë e më shumë regjizorët shqiptarë po vënë në skena shfaqe të huaja teatrale, ç’mendim keni ju për këtë?

 Unë këtë gjë e preka dhe më lart, duke e sjellë si një nga dobësitë që ka sot teatri ynë.

Vetë emri Teatër Kombëtar, do të thotë që primare do të ishte drama shqipe. E kjo gjë le për të dëshiruar… Nuk them se nuk ka përpjekje, por  edhe kur arrijnë të vendosin ato kanë dobësi të theksuara dramaturgjike e sigurisht që  këto dobësi do të ndikojnë edhe në ngjitjen e tyre në skenë. Duhet përgëzuar nisma e Teatrit të Metropolit për të vendosur drama të autorëve shqiptarë, e madje edhe veprave të huja t’u japin ngjyra e shpirtin shqiptar. Regjisor i mirë është ai që me mjetet e tij shprehëse, arrin të vendosë në skenë vepra kombëtare me nivel të lartë, në një këndvështrim që vetëm ai e ka e askush tjetër. E vështirë por jo e pamundur.

Para pak ditësh ju vutë në skenë komedinë “Pas vdekjes”, nga i madhi Andon Zako Cajupi, pse këtë vepër, cfarë e bën kaq të vecantë sipas mendimit tuaj?

“Pas vdekjes” është një nga komeditë  më të bukura shqiptare, dhe sigurisht një nga komeditë e cila është vënë pothuajse nga çdo trupë profesioniste apo dhe trupa amatore. Ajo që kishte mbetur në mendjen time nga këto vënie ishte se të gjitha rrihnin ‘’në një vrimë’’ dhe ishin pothuajse si motra. Asnjëra nuk i fliste kohës së vet, por thjesht bëhej humor me doktor Adhamudhin, kjo e realizuar nga zgjuarsia popullore që përfaqësohej nga Zeneli, e duke e vendosur Adhamudhin e Zenelin të fliste në një dialekt e gjuhë tashmë të lënë pas në kohe, dhe jo të futeshin thellë në botën, konceptet e secilit, dhe të përcillej halli i personazheve….E një ditë kur presidenti i Republikës nderoi  Çajupin me titullin e lartë “Nderi  Kombit’’ dhe ku isha dhe unë duke interpretuar vargje nga Çajupi në fshatin e tij të lindjes, në Sheper, mora një vendim se do të vendosja këtë komedi, në një dritë të re dhe me aktorë të rinj. E kjo ditë erdhi me këtë trupë të re simpatike, me të cilën për tetë muaj rresht do të punonim me pasion e përkushtim duke  përshtatur tekstin me kohën që jetojmë, e mbi të gjitha duke i parë e zbërthyer personazhet si njerëz të ditëve tona.

Unë u njoha dhe më mirë me gjithë veprën e Çajupit, me gjithë komeditë e tjera, vjershat e poemat. Kjo do të bënte që në përshtatjen e tekstit të futen dhe thënie, emra personazhesh dhe vargje të ndryshme nga e gjithë krijimtaria e autorit. U përpoqa të zbuloj thelbin dhe zanafillën se kush u bë shkak që Çajupi  ta shkruante këtë komedi. E pasi e zbulova, bëra që kjo të ishte filli i kësaj vënieje, pra Çajupi do të vinte  për të mbaruar një mision të lënë përgjysëm, atë të dashurisë së Vurkos me Lulushen. Dhe tjetra për të deklaruar  pas 100 vitesh se a mbaroi misioni i kësaj komedie, a duhej pranuar kërkesa e Adhamudhit për ta lënë të qetë nga tallja dhe rezilizmi , që dhe ai të prehet i qetë kur kanë kaluar 100 vite duke u bërë rezil.

E për këtë unë sjell Çajupin në skenën ku ai vetë do të realizojë këto dy gjëra, dhe tjetra të jetë dëshmitar i ndryshimit të gjuhës së shkruar prej tij, në një gjuhë bashkëkohore. Dhe vepra do të nisë me thënien e famshme nga komedia “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”, ku vajzat në rolin e një kori hyjnë në skenë duke thënë “ Ç’do të thonë bota, po  bota ç’do të thonë’’. Dhe vumë re që bota e pëlqeu këtë konceptim.

Çajupi ngrihet dhe pasi komedia mbërrin atje ku ai e kishte përfunduar në vitin 1910, fillon të bëjë ndryshimet e nëpërmjet Zenelit të realizojë skenën e dashurisë së Vurkos dhe Lulushes, dhe me detaje të thjeshta jep që ata martohen (ku ai i bekon dhe vendos kurorën e martesës) dhe pas kësaj po me disa detaje të thjeshta jepet ku ata lindin fëmijë, e përsëri me detaje të tjera jepet plakja e tyre, pra ndriçon dashurinë e përjetshme dhe familjen si një gjë të shenjtë.

Por para kësaj ai deklaron se Adhamudhi e të tjerë si ai do të bëhen rezil në jetë të jetëve…Është punuar shumë që të mos merreshim me anën e jashtme të karaktereve por të hynim në themel të tyre.  Kemi                                                                                                 parë thellë psikologjinë e personazheve, lidhjet e ndërlidhjet e tyre, dritaret e vogla të shpirtit të tyre për tu futur e zbuluar gjëra të reja. Dhe ne kuptuam muzikën e shpirtit të tyre, dhe disa herë këtë e nxorrëm ta dëgjonin dhe të tjerët. Gjithashtu u pa në prizmin poetik, duke i’u kushtuar një rrëndësi të veçantë vargjeve të ndryshme poetike.

Unë gjithmonë përpiqem që shfaqja ime të jetë poetike, sepse mendoj se është gjuha më e bukur dhe më e lartë e rrëfimit. Nuk lejoj kurrë që personazhet e mi të përdorin fjalë pa vend, banale, vulgare, pa kuptim e vetëm për ku e di unë. Gjersa themi që teatri është jeta e hedhur në art, kuptohet që duhet bërë kështu dhë vetëm kështu, me një gjuhë letrare, të bukur e vepruese. I kushtova tërë energjinë  lojës realiste, lojës së vërtetë, përjetimit e jo fjalës dialektore, por siç thashë më sipër, gjuhës së bukur  letrare të kohës sonë, gjuhës së bukur të Çajupit.

Një ide tjetër  që nënvizohet që në fillim, me të hapet shfaqja, ishte  edhe mos largimi nga Shqipëria, ku Vurkua i flet dikujt në telefon se ai nuk do vizë për tu larguar, se ka gjetur një punë këtu, e cila është bërja e shkrimve të vdekjes së bashku me Vurkon. Muzika kryesore  përveç këngëve të ndryshme nga klasikja, rrepi, e polifonikja do të ishte tringëllima e parave brënda një kupeje metalike (kjo është muzika kryesore e çdo kohe), ku personazhet do të hidhnin monedhat (mexhitet) brenda saj. Kur ata kundërshtonin e nuk donin të jepnin mexhitet, atëherë Zeneli ulej në gjunjë si Hamleti i kohës tonë, me kupën përpara duarve dhe me thënien proverbiale “Të rroç a të mos rroç”. E kur  personazhet i thoshin “Të rroç”, atëherë  Zeneli i përgjigjej “ Që të rroç,hidhmë monedhën”(mexhiten).

Një mesazh tjetër i fuqishëm do të ishte dhe thirrja që bën Çajupi për lëvrimin me sukses të teatrit. “Teatri  është instrumenti më shprehës, më i nevojshëm në ndërtimin e një vendi. Një teatër i vërtetë, për disa vjet mund ta transformojë ndjeshmërinë e  popullit, ndërsa një teatër i degraduar, mund ta përgjumë e kalbë një popull të tërë…”

Pra kjo vepër  arriti të vinte në kohën tonë, në ditët që jetojmë, në hallet e problemet tona, me shumë finesë, pa kërcitje…E kam shumë të  vështirë që të them të gjitha risitë e kësaj vënieje, ato  vetëm  mund shihen e përjetohen duke u parë shfaqja.

Pse kjo dëshirë kaq e madhe e juaja për të punuar me talentet e rinj, cfarë ju nxit më shumë?

Mund të jenë shumë arsye rreth kësaj pyetje. E do të thoja se njëra prej tyre është se duke qenë në një vend të vogël ku mundësitë për të vënë në skenë shfaqje të shumta janë të kufizuara, atëherë e vetmja mundësi që unë të shpreh atë zjarr të brendshëm shpirtëror ku zien fuqishëm si llavë teatri, është t’u mësoj të rinjve rrugën e bukur dhe të ‘’tmerrtë’’ të teatrit. E tjetra besoj se është se dua që qyteti (që e dua shumë, ndaj nuk jam larguar prej tij, megjithëse dhuntitë e mia aktoriale flasin e meritojnë një teatër e qytet më të madh) të ketë sa më shumë artistë, dhe këta ti ketë cilësorë, siç edhe i ka.

Sigurisht që puna me të rinjtë është sa interesante por edhe plot andralla. Bëhet e vështirë se unë punoj me ta siç punoj me profesionistët, me të gjithë elementët e fazat e punës së vënies në skenë të një vepre teatrale. Pastaj gjëja tejet positive është se me ata mund të eksperimentosh (gjë që është e vështirë me profesionistët për 1001 arsye), sepse fëmijët e të rinjtë kanë një pasion dhe etje të madhe për teatrin, për të renë, për të bukurën, shkruajnë e shuajnë shpejt, kohës së re i duhet fole me njerëz të rinj pa komplekse të vjetra. Ndoshta dhe se qyteti im ka mangësi aktorësh për të realizuar idetë e konceptet e mia teatrale. Siç ndodhi me shfaqjen e fundit që dhamë në Teatrin “ Metropol”, komedinë “Pas vdekjes”.

Dua të theksoj se ‘’nga duart e mia’’ kanë dalë aktorë e regjisorë sot të shquar brenda dhe jashtë vendit, si Laert Vasili, Spiro Guma, Mikel Kalemi, Ervina kotolloshi, Armela Demaj, Najada Elmazi,Albano Bogdo, Ariola Basho dhe tani së fundi im bir, Enea.

Unë isha afër asaj, për të qenë as/pedagog  në degën e dramës, por për arsye jashtë profesionit e humba këtë mundësi…E këtë e vazhdova vetë këtu në Sarandë duke ndërtuar “akademinë time” (qesh).  Vërtet që puna me mua është e fortë, vuajnë me ditë e muaj, por ama kjo gjë ja bën më të lehtë dhe më të mundur rrugën për t’u bërë një artist i mirë. Ashtu siç lind e rrit fëmijë biologjikë është bukur të lindësh e rrisësh dhe fëmijë artistikë.

Rreth 130 role si aktor, cili është roli që do të cilësonit si i preferuari i karrierës tuaj?

Sigurisht që i thonë 40 vite në skenë, dhe role janë shumë, por vërtetë që disa prej tyre veçohen. E një prej tyre është Kreonti tek tragjedia “Antigona’’ e vënë në teatrin e Butrintit dhe në skenën e Universitetit të Arteve, me këtë rol jam nderuar edhe me çmimin e parë si aktori më i mirë në “Festivalin  ndërkombëtar  të monologut antik e klasik” në Athinë.

Por nuk mund të lë dot pa përmendur rolin e Poprishinit në monodramën “I çmenduri që bëhet mbret” (përshtatur sipas tregimit “Ditari i një të çmenduri” të Nikolai Gogol, me regji të Shefqet Bregut, monodramë që kritika do ta vlerësontë me nota maksimale.

E do të ishte jo gjë e mirë të lija pa përmendur rolin e Tonit tek komedia “Burri i gruas sime” të kroatit Miro Gavran me regji të Spiro Dunit, që do të ishte krejt një natyrë tjetër nga Kreonti e Poprishini.

Si mund të harroj rolin e Lazes (një rol krejt i ndryshëm nga të tre rolet e mësipërme) tek komedia muzikore “Flokë dëbore në prill’’ të Pëllumb Kullës, me regji të Thoma Milait.

Do të shtoja edhe rolin e Besemenovit tek “Mikroborgjezët” e Maksim Gorkit, rolin e Denforthit tek ‘’Shtrigat e Salemit” të Arthur Miller, rolin e Filimonit tek “Njeriu që pa vdekjen me sy’’, e shumë role të tjerë të mëdhenj në vepra të njohura botërore dhe shqiptare.

Nuk mund ti ndaj dot se të gjithë ata plotësojnë portretin tim aktorial. Vërtetë janë shumë, por unë për ta jam vetëm NJË.

Dëshirën dhe pasionin për regjizurën e mban edhe djali juaj Enea, a keni ndikuar ju tek kjo lidhje e tij me regjinë?

Unë besoj se Enea rrugën e teatrit e ka nisur vetë, atje në shkallaret e Butrintit. Ai do të ndiqte qysh në moshën tre vjeçare e gjersa do të shkonte në Universitet rreth 130 vepra skenike si tragjedi, komedi, drama, balet, në amfiteatrin e Butrintit ku zhvillohet Festivali Ndërkombëtar “Butrinti 2000”. Ai do të merrte pjesë si aktor pothuajse në të gjitha shfaqjet e mia në skenën e teatrit, dhe në shumë teatro poetikë ku do të luante me violinë por më pas do të interpretonte edhe si aktor.

Gjithashtu Enea, qysh në klasën e shtatë do të fillonte të xhironte videoklipe poetikë e filma të shkurtër, ku montazhin do ta bënte po ai nën kujdesin tim. Në vitet e shkollës së mesme Enea vinte në sekenë si regjisor drama, komedi, tragjedi me gjimnazin, madje organizonte festivale teatrore ndërmjet klasave në gjimnasin ‘Hasan Tahsin”.

Gjatë kësaj kohe ai ka realizuar dhe filma artistikë me metrazh të shkurtër. Pra siç shihet, e ka nisur vetë rrugën e regjizurës dhe aktrimit. Thënë më mirë Enea kishte nisur rrugën e teatrit pa nisur akoma rrugën e jetës.(qesh)

Tani vazhdon studimet në vitin e tretë për regji në Universitetin e Arteve, unë dhe pedagogët e tij besojmë se do të jetë një vlerë e vërtetë në fushën e teatrit dhe të filmit.

A mendoni se kinematografia është arti i cili vendos në skenë jetën në të gjitha dimensionet e saj?

Sigurisht që kinemaja është ajo që e përfshin e përcjell jetën në të gjitha dimensionet e saj, e ndaj quhet dhe arti shtatë. E gjersa përmbledh të gjitha llojet e arteve, do të thotë që ka më mundësi të  përmbledhë brenda saj gjithë jetën.

Teatri është i ndërtuar në sikur: sikur je në mal, sikur është det, sikur është shtëpi, kurse në film,është mal, është det, është shtëpi e vërtetë…E gjersa teatri është me sikur, atëherë ‘sikuri’ është ai element që të shpie nga bota reale në botën e imagjinuar. Arti siç dihet nuk është një kopje e realitetit, por një rikrijim i tij, një pasqyrim ideal i këtij realiteti, në kuptimin filozofik dhe atë estetik. Çdo gjë në skenë është një imitim i realitetit që jetojmë. E në këtë këndvështrim absolutisht që barra për ta vendosur në ‘’skenë” gjithë jetën, i bie kinematografisë se dhe ajo i ka të gjitha mundësitë e mjetet për ta bërë këtë.

Cilat janë planet tuaja, dhe a duhet të presim t’ju shohim, së shpejti në roliN e aktorit?

Artisti ka shumë ëndrra në kokën e mendjen e tij. Por fatkeqsisht një pjesë e vogël realizohen, sepse arti i aktorit dhe i regjisorit realizohet në kolektiv. E kjo e bën të vështirë. Por janë dhe arsye të tjera siç është ana financiare, që i bën të pamundura shumë gjëra. Ka dhe të tjera siç janë shëndeti, qyteti e vendi ku ti punon që mund të jetë një provincë e vogël. E ndër planet e mia për këtë vit përveç turneut në Kosovë me komedinë “Pas vdekjes”, do të jetë dhe një punë skenike tjetër me këta të rinj të talentuar. Duke parë suksesin e arritur me këtë trupë simpatike, e duke shtuar dhe aktorë të tjerë të rinj, do të ve në skenë një vepër ku besoj se do të shoh dritën e saj në skenën metropolitane, e mandej  në trojet shqiptare.

Gjithashtu kam përfunduar dy skenarë me metrazh të shkurtër dhe do të filloj së shpejti përpjekjet për ti jetësuar ata. E kjo kërkon para, por besoj se do ti gjej.

Një plan tjetër është realizimi i një videoklipi poetik të një autori Kosovar, që bën fjalë për harmoninë fetare, dhe dy videoklipe të tjera me vargje nga Dritëro Agolli dhe Ali Podrimja.

Dhe projekti tjetër ka lidhje me vitin e Skëndërbeut. Sigurisht që në shumë prej tyre do të jem dhe aktor. Këto janë planet e mia për këtë vit. Intervistën tjetër me siguri do të flasim për realizimet e këtyre planeve.(qesh)

/NewsBomb

loading…


Comments

comments